Jump to content

Fetvaja

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Versioni i datës 26 prill 2023 20:41 nga Nennglas (diskuto | kontribute)
(ndrysh) ← Version më i vjetër | shikoni versionin e tanishëm (ndrysh) | Version më i ri → (ndrysh)

Fetfa (arabisht فتوى = fatvā, shumës: fatāvā) është një ekspertizë ligjore islame, e cila lëshohet zakonisht nga një myfti (hartuesi i një ekspertize ligjore, i specializuar për jurisprudencën islamike Fikh) në lidhje me një temë të caktuar. Zakonisht fetfa përgatitet sipas pyetjes së një personi privat ose të një juristi (personi që bën lutjen për fetva-n quhet mustafti), për të sqaruar një problem që ka dalë brenda fesë islame.

Ekspertizë islame mbi apostazinë

Sfera e ndikimit të një fetva-je bazohet në autoritetin e personit të autorit të saj; kjo do të thotë se (ndryshe nga vendimi gjyqësor) gjykimi ligjor në të është i detyrueshëm vetëm për ata myslimanë që e njohin autoritetin e autorit. Meqenëse sekti sunnit nuk e njeh klerin, nuk ekzistojnë as rregulla të pranuara njëzëri për atë se kush lejohet të lëshojë një fetva dhe kush jo, gjë që sjell që teologët islamë vazhdimisht ankohen se janë shumë njerëz që e mbajnë veten të autorizuar për këtë. Për këtë arsye ka edhe literaturë të veçantë të ashtuquajtur „adab-al-mufti“, e cila synon të konkretizojë detyrat e myftiut dhe të mustafti-t.

Secili drejtim juridik islam (madhhab) ndjek sistemin e vet duke bërë që myslimanët t'u takojnë përkatësisht drejtimeve të ndryshme juridike. Kështu që teologët e ndryshëm islamë mund të lëshojnë fetva kundërthënëse ose konkurruese me njëra-tjetrën si në teori ashtu edhe në praktikë. Në formën mbirajonale të sotme, drejtimet juridike islame e kanë origjinën në gjysmën e dytë të shekullit të 8-të. Sunnitët njohin katër drejtime juridike (hanafitët, malikitët, hanbalitët dhe shafiitët), gjithashtu ekzistojnë edhe disa të shiitëve. Gjatë reformave të fesë islame prej fundit të shekullit të 19-të u arrit pjesërisht kapërcimi i gjendjes së larmisë së drejtimeve juridike të ndryshme, ku gjatë hartimit të „ligjeve të kodifikuara“ u shpall si legjitim mbështetja tek teksti i ligjeve të drejtimeve të ndryshme si edhe mendimi individual.

Duhet përmendur edhe se shumë vende, ku myslimanët përbëjnë shumicën e popullsisë, nuk e pranojnë të drejtën islame si bazën e vetme për drejtësinë.

Në vendet me drejtësi islame fetva-t, përpara se të publikohen, diskutohen dhe vendosen zakonisht nga krerët fetarë të vendit. Shpesh ata e bëjnë këtë jo krejtësisht të pavarur nga shteti. Në këto raste fetva-t janë rrallë kundërthënëse duke pasur nivelin e ligjit të zbatueshëm. Kur dy fetva kundërshtojnë njëra-tjetrën, këta krerë (që kanë në dorë si ligjet civile ashtu edhe fetare) merren vesh për një kompromis, për të sqaruar se cila prej tyre të hyjë në fuqi.

Në vendet ku shari'a nuk është pjesë e sistemit ligjor, myslimanët besimtarë ndeshen shpesh me dy fetva konkurruese me njëra-tjetrën. Në këto raste ata respektojnë kreun, i cili përfaqëson drejtimin e tyre fetar ose atë, gjykimi i të cilit i përgjigjet më tepër mendimit të tyre. Kështu për shembull sunnitët respektojnë zakonisht atë drejtim juridik, të cilit i përkasin tradicionalisht, ndërsa fetva-n e një kleriku shiit nuk e respektojnë.

Fetfa me rastin e ngjarjeve konkrete

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Fetva më e njohur, e cila e bëri të njohur këtë term edhe në botën jo-islame, është ajo e ajatollahut iranian Humejni. Më 14 shkurt 1989 kreu shiit kërkoi vrasjen e shkrimtarit Salman Rushdie për shkak të gjoja blasfemisë në librin e tij „Vargjet satanike“ dhe të braktisjes së fesë islame. Megjithatë, sidomos sunnitët nuk e njohin këtë fetva si të vlefshme.

Në shtator 2000 u lëshua nga sheiku Nasr Farid Vassal, kryemyftiu i Egjiptit, një fetva duhani për të mbështetur fushatën në shkallë kombëtare kundra duhanit. Katër drejtimet juridike tradicionale kanë secila nga tre teori mospërputhëse mbi pirjen e duhanit: disa janë të mendimit se pirja e duhanit është e ndaluar, të tjerët e shohin si të lejuar ose si gjest të ulët. [1]

Pas atentateve terroriste të 7 korrikut 2005 në Londër, këshilli i atjeshëm i sunnitëve („Xhema'at e Ahl e Sunnat“) deklaroi se çdo formë atentatesh është e papajtueshme me fenë islame. Për të theksuar rëndësinë e kësaj deklarate, këshilli sunnit zgjodhi për të formën e fetva-s.

Më 26 tetor 2005 klerikët islamë në Somali publikuan një fetva, e cila drejtohej kundra prerjes ose gjymtimit gjenital të vajzave. Në të, kjo praktikë tradicionale shumë e përhapur në Afrikë, dënohet si „jo-islamike“.

Në prill 2006 presidenti iranian Mahmud Ahmadinexhad-i njoftoi se, me rastin e kampionatit botëror të futbollit që pritej, do të pezullonte ndalimin e deritëatëherëshëm të hyrjes së grave në stadium. Realizimi i ndryshimit të këtij ligji u pengua me anë të një fetva-je nga ajatollah-u Mohammad Fazel Lankarani.

  • Benjamin Jokisch.: Islamisches Recht in Theorie und Praxis (E drejta islame në teori dhe praktikë). Analizimi i disa fetva-ve mbi të drejtën tregtare të Taqī'd-Dīn Aḥmad b. Taymiyya. Në: Islamkundliche Untersuchungen. Vëllimi 196. Schwarz, Berlin 1996. ISBN 3-87997-248-6 (Edhe si disertacion në Universitetin e Hamburgut, 1994).
  1. ^ al-mausu'a al-fiqhiyya. Botimi 5. Kuwait 2004. Vëll. 10. f. 101-112